smart working

Smart working, sistemi i ri fleksibël i punës.

smart working
Sipas statistikave të gazetës së përditshtme Italiane “Il sole 24 ore”:

95% të punonjësve në Amerikën jugore e veriore, Europë, Azi, janë të gatshëm të punojnë kudo në botë;

92% e tyre janë gati të shkojnë aty ku ka nevojë për profesionin dhe eksperiencën e tyre;

79% besojnë se mund të ushtrojnë profesionin e tyre nga një pajisje elektronike si smartphone, laptop ose kompjuter;

81% e tyre parashikon që nuk do ekzistojnë më kontrata të punës së përherëshme apo të përkohëshme, por do të zëvendësohen me kontrata për projekte ose me orë pune;

79% mendon se nuk do të jetë e domosdoshme prania e një hierarkie, e cila sot ka për detyrë të zgjidhë problemet në rast se ato do të paraqiten.

Përqindjet e sjella më sipër kanë dalë nga studimet e bëra në 2.400 punëtorë të kontinenteve të lartpërmëndura nga shoqëria ndërkombëtare ADP (Automatic Data Processing), udhëheqës në administrimin e personelit. http://wwwadp.com

SMART WORKING

Le të njihemi më mirë me këtë regjim fleksibël të punës, i cili mund të kryhet pjesërisht brenda ose jashtë mjediseve të kompanisë:

Sipas kalendarit të vendosur nga kontrata përkatëse (jo domosdoshmërisht orar zyrtar tetë orësh), duke përdorur mjetet teknologjike (platformat sociale që shpërndajnë informacionet mes punonjësve dhe kontrollin online të ecurisë së punës), parashikohet mungesa e një vendi fiks gjatë periudhës së punës. Nuk është utopi por realitet. Kuptohet aty ku nuk është i nevojshëm përdorimi i makinerive specifike e prania e individit nuk është e domosdoshme. Është revolucion në politikën e biznesit për mundësitë e kursimit që ofron, dhe të atyre që administrojnë kapitalin njerëzor.

Disa nga përparësitë e të punuarit në distancë janë:

Stabiliteti

Stabiliteti sot nuk është më sinonim i një vendi pune të përhershme, por i një rrjeti profesional të zgjeruar, i gatshëm të ndihmojë punonjësit të përvetësojnë e zgjerojnë njohuritë mbi zanatin e tyre apo atë të sektorëve të tjerë, duke dyfishuar kështu mundësitë për karrierë. Ambiciet në aspektet e punës sot janë më shumë të lidhura me angazhimin e projekteve vetjake të rëndësishme, sesa ato ekonomike. Siç e pamë edhe në statistikat e sjella më sipër, janë të shumtë ata që vendosin të punojnë kudo në botë, të jenë autodidaktë, e të përgatisin vetë një program pune.

Fleksibiliteti

Përgjigjja është tek instrumentet online, sepse teknologjia nga njëra anë lejon të përmbushë nevojat e punonjësve për të kombinuar kohën e punës me atë të jetës private; nga ana tjetër, punëdhënësit të ulin shpenzimet për strukturat fikse e lehtësime në aspektin tatimor.

Në Itali kjo mënyrë e ndryshme e kryerjes së performancave është bërë projekt ligj në 2016, si rrjedhim i nismave të marra nga disa ndërmarrje me punonjësit e tyre. Ndërsa në “Automattic” kompaninë 1 miliard dollarëshe e themeluar nga krijuesi i WordPress-it Matt Mullenwerg, punojnë 400 punonjës në 43 vënde të ndryshme, por të gjithë së bashku online, secili me account personal, pa qënë e nevojshme të ndryshojnë vendbaninim e tyre apo të humbasin kohën e gllabëruar në trafikun e qyteteve të mëdha për të arritur në selinë e punës. http://automattic.com

Njohuritë dhe vetëorganizimi

Është e ditur se sot shumica e individëve (ashtu siç mund tju ketë ndodhur edhe juve) përdor teknologjinë për të mësuar gjithshka, gjithmonë e kudo. Kjo bën që të jenë më të pavarur dhe të vetëmenaxhohen, e pse jo, t’i zgjidhin vetë problemet. Pritet, që rrjetet sociale, në të ardhmen, të kthehen në njësi bashkëpunimi e shkëmbimi të informacioneve për punën e strukturuar.

Është e rëndësishme të merren parasysh përparësitë e një sistemi të tillë pune, por mos të harrojmë që është po aq e rëndësishme të evitohet mbingarkesa e orareve të zgjatura në punë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*